Kur pyesim pse të rinjtë nuk ndërmarrin ndonjë nismë, a mendojmë sa hapësirë u kemi lënë për të vepruar?

Updated: 5 days ago
Autore: Dr. Bardha Qirezi
Nga 16 deri më 22 nëntor, edukatorë, të rinj dhe institucione në Evropë e më gjerë shënojnë Javën Globale të Edukimit, nën motivin “Zëri im, veprimi ynë, një e ardhme e përbashkët”. Në Kosovë, Forumi i Inovacionit Rinor StartLab360 bashkoi në të njëjtën sallë të rinj, drejtues universitetesh, përfaqësues të sektorit bankar dhe ndërmarrës, për të diskutuar si mund t’i kthejnë të rinjtë idetë e tyre në veprim. Forumi u organizua nga Instituti Edutask, me mbështetjen e BOOST Balkans, ALDA dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).
Shpesh dëgjojmë prindër, mësimdhënës, punëdhënës dhe organizata rinore të thonë se të rinjtë nuk marrin nismë. Mendoj se kjo vjen pjesërisht nga përvoja e brezave tanë, që u rritën mes krizave, luftës dhe pasigurisë. Të merrje nismë ishte shpesh domosdoshmëri. Të rinjtë e sotëm rriten në rrethana të tjera. Çfarë u mëson sistemi ynë arsimor për vlerën e nismës, dhe sa hapësirë u lëmë atyre për të vepruar?
Çfarë po u mësojmë të rinjve të bëjnë?
Korniza e Këshillit të Evropës për kulturën demokratike përfshin mendimin kritik, të nxënit autonom dhe besimin në aftësinë për të vepruar. Të rinjtë i zhvillojnë këto kompetenca kur kanë mundësi të marrin vendime, të shpjegojnë arsyetimin e tyre dhe të marrin përgjegjësi për atë që vjen pas.
Një gjetje nga PISA 2025 duhet të na bëjë të ndalemi. Nga 2022 në 2025, përqindja e nxënësve në Kosovë që thanë se vazhdojnë punën me një detyrë derisa ta përfundojnë ra me rreth 13 pikë përqindjeje. Kjo ishte rënia më e madhe ndër 28 sistemet arsimore ku kjo pyetje regjistroi rënie.
Rezultatet e PISA-s për Kosovën i komentoj rregullisht. Sipas mendimit tim, duhet të shohim më detajisht çfarë u kërkojmë nxënësve të bëjnë në klasë. Kur i shpërblejmë për përsëritjen e përgjigjes së pritur, sa shpesh u jepet mundësia të bëjnë pyetjet e tyre, të shpjegojnë si arritën te përgjigjja, apo të provojnë sërish pasi kanë gabuar?
Për çfarë po i ftojmë të rinjtë?
Ne që drejtojmë programe për të rinjtë duhet ta shohim edhe punën tonë. Ne zgjedhim temën, dizajnojmë aktivitetet dhe vendosim si do të duket suksesi. Pastaj i ftojmë të rinjtë të marrin pjesë. Deri në atë moment, sa mund të vendosin ata realisht?
Laura Lundy përcakton katër elemente të pjesëmarrjes kuptimplote: hapësirën, zërin, dëgjuesin dhe ndikimin. Ne shpesh ofrojmë hapësirën dhe u kërkojmë të rinjve të flasin. Në universitet, për shembull, u kërkojmë studentëve të plotësojnë pyetësorë. Një studim i Agjencisë së Kosovës për Akreditim gjeti se reagimet e studentëve shpesh mblidhen si formalitet, se vlerësimet e studentëve nuk publikohen, dhe se mungesa e rezultateve të dukshme i bën studentët ta shohin pjesëmarrjen e tyre si të kotë. Kur studentët rrallë dëgjojnë çfarë ndryshoi pasi folën, është e kuptueshme që disa pushojnë së foluri.
Kur të rinjtë kërkojnë gjërat bazike
Ajo që vërej në bisedat me nxënës, studentë dhe prindër është sa bazike janë shumë nga kërkesat e tyre. Kërkojnë ngrohje, tualete që funksionojnë, klasa ku mund të hyjë çdokush dhe hapësira për të mësuar ose për të kaluar kohë bashkë. Duan të dinë kush do t’i ndihmojë kur një fëmijë përballet me bullizëm, dhunë apo diskriminim.
Është vështirë t’u kërkosh të rinjve të marrin nismë, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të angazhohen në jetën qytetare, kur ende po kërkojnë këto kushte. Ndërsa Kosova harton Strategjinë e Arsimit 2035+, unë do të nisja me katër ndryshime.
T’i përfshijmë të rinjtë para se t’i dizajnojmë programet. T’i pyesim për cilat probleme duan të punojnë. T’u japim fjalë në vendime dhe qasje te njerëzit që mund t’i ndihmojnë t’i testojnë idetë e tyre.
Të tregojmë çfarë ndryshoi pasi nxënësit dhe studentët dhanë mendimin e tyre. Të punojmë përmes këshillave të nxënësve dhe përfaqësuesve të studentëve, të pavarur e të zgjedhur në mënyrë demokratike. Të publikojmë çfarë ngritën studentët dhe çfarë bëri institucioni si përgjigje.
Të vendosim dhe të financojmë standarde bazike për shkollat. Të bëjmë të qartë cilat shkolla i plotësojnë standardet për higjienë, siguri dhe qasje, dhe kush është përgjegjës për përmirësimet.
Të matim më shumë se rezultatet në teste. Të shohim nëse nxënësit po mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike, të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të marrin pjesë në vendime.
Motoja e Javës Globale të Edukimit fillon me “Zëri im”. Për ne që dizajnojmë programe ose marrim vendime për arsimin, prova vjen kur një i ri propozon diçka që nuk e kishim planifikuar. A jemi gati ta lëmë atë ide ta ndryshojë vendimin tonë?
Kur ishte hera e fundit që një i ri/e re erdhi te ju me një ide? Çfarë bëtë?



Comments