top of page

Të mësuarit përtej kufijve

Writer: Bardha Qirezi
Bardha Qirezi
Aug 20
4 min read

Updated: 5 days ago

Autore: Dr. Bardha Qirezi


Studimi, puna dhe jeta larg vendlindjes shpesh të ndryshon, dhe kur kthehesh nuk është krejt e thjeshtë. A ju duket i njohur ky përshkrim?


Studentët ndërkombëtarë apo profesionistët e zhvendosur jashtë vendit shpesh e përshkruajnë veten si të mbingarkuar, të çorientuar dhe të ndryshuar.


Nëse studioni, punoni ose jetoni jashtë vendit, apo keni qëndruar për disa vite dhe jeni kthyer në vendlindje deri diku të ndryshuar, mund t’ju duket i njohur parashtrimi në këtë blog.


Para disa vitesh, hulumtova përvojat e studentëve kosovarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjeta se mbingarkesa e tyre nuk përfundoi pas muajve të parë të qëndrimit, por kthehej kur navigonin dy botërat e ndryshme. Përvoja të ngjashme kam dëgjuar nga mjekë, specialistë të teknologjisë dhe profesionistë të tjerë, të cilët negocionin kufijtë e padukshëm të dy konteksteve.


Akkerman & Bakker (2011) e quajnë këtë kalim kufijsh një shkëmbim reciprok mes dy ambienteve, qofshin ato shtete, universitete apo vende pune. Mjedisi i vjetër nuk lihet thjesht mbrapa dhe ne nuk adaptohemi thjesht në mjedisin e ri. Të dy mjediset komunikojnë me njëri-tjetrin, në kokat tona dhe në veprimet tona të përditshme, kur mundohemi të luajmë rolin tonë.


Ndryshimi dhe identiteti në kufij


Kjo ndërlidhet me mënyrën se si mendoj për identitetin: jo si diçka fikse që e bartim me vete në kontekstin e ri, por si diçka që vazhdimisht përpunohet në marrëdhënie me të tjerët dhe me rrethin. Këtë proces sociologu Richard Jenkins (2008) e quan identifikim. Nga kjo pikëpamje, “kush jemi ne” nuk përcaktohet përfundimisht në vendlindje ose në vendin, punën apo rolin tonë të ri, por zhvillohet dhe ripërpunohet aktivisht sa herë që këto dy botë përplasen.


Në hulumtimin tim, çorientimi paraqitet si përvojë edhe pozitive, edhe negative dhe, ndryshe nga përshkrimi i Mezirow (1981), procesi i ndryshimit nuk lëviz në faza fikse të njëpasnjëshme, por në valë ngërthimi, konflikti, negocimi dhe veprimi.


Ngërthimi ka të bëjë me të qenët i kurthuar mes të vjetrës dhe të resë, ku fërkimi dhe konflikti mes tyre bllokojnë funksionimin dhe kryerjen e rolit tënd. Duhet ta zgjidhni lëmshin për të krijuar shtigje të reja veprimi. Varësisht nga natyra e dallimeve dhe e përplasjes midis konteksteve, ju ndiheni të ngashëryer dhe të çorientuar: “Është diçka krejtësisht ndryshe”, “Është komplet e panjohur”, “Është magjepsëse”, “Është e paimagjinueshme”. Gjithçka është shumë, shpejt dhe pa një orientim.


Çorientimi është nxitës. Të detyron të vësh në pikëpyetje se kush je në dy kontekstet. Sa më i madh konflikti, aq më e madhe mëdyshja dhe eksplorimi i asaj se çka di, si e ke mësuar, si i bën gjërat dhe si bashkëvepron me personat e tjerë, duke përfshirë edhe kolegët, profesorët dhe mbikëqyrësit e tu. Këtu ndodh mësimi i vërtetë dhe këtu njerëzit e tjerë luajnë rol të qenësishëm. A të shohin dhe të dëgjojnë? A të ofrojnë orientim apo e konsiderojnë adaptimin/ndryshimin tënd të natyrshëm? Nëse gjen përkrahje, çorientimi kthehet në kërshëri dhe konfidencë. Nëse injorohesh apo nuk të ofrohet mbështetje, përfundon i anashkaluar dhe i përjashtuar.


Negocimi është ajo puna e vazhdueshme dhe e heshtur që bën për të vendosur se çka të mbash, çka të ndryshosh dhe çka të lësh anash në secilin takim, angazhim apo marrëdhënie. Negocimi në praktikë nënkupton paramendimin e rolit tënd dhe negocimin e tij prej perspektivës, vlerave, qëllimeve dhe angazhimeve të tua për të adaptuar, ndryshuar apo riformuluar rolin tënd.


Si integrohet transformimi nëpër kontekste të ndryshme?


Kalimi i kufirit njëherë nuk e përmbyll përvojën mësimore. Puna më e vështirë, sipas hulumtimit tim, ndodh kur mundohemi të integrojmë çfarë jemi bërë kur kthehemi në vendlindje, e cila nuk ka ndryshuar në ritmin tonë.


Ndryshimi i parë i dukshëm është përfitimi i statusit profesional, vetëbesimit dhe hapjes ndaj përvojave të reja. Mjeku, hulumtuesi, profesionisti që kthehet bjen me vete një monedhë si diploma dhe kompetenca. Kjo është pjesa më e lehtë.


Vështirësia qëndron te kontekstualizimi i ndryshimit personal dhe integrimi i tij në vendin tënd, duke mos e konsideruar si një praktikë që vlen veç “atje”. Për disa, kjo mund të jetë një adaptim i vogël, por për disa të tjerë mund të nxisë konflikt të ri. Ndonjëherë, pikërisht ajo që të shtyu të ndryshosh, të vështirëson integrimin në vendlindje.


Pas kësaj vjen një punë e vazhdueshme e reflektimit dhe negocimit, rast për rast, në rolin tënd profesional. Mjeku vendos, në çdo ndërrim, se çfarë të sfidojë, profesionisti vendos se çka nga stili i ri i punës mund të aplikohet me ekipin e tij, kurse profesori vendos se cilat luftëra do t’i bëjë këtë javë.


Dy rezultate


Unë gjeta se mësimi nëpër kufij ndahet në dy rezultate dhe kjo ndarje nuk ndërlidhet me atë se sa ka ndryshuar personi. Të gjithë me të cilët kam folur tregojnë ndryshime substanciale. Rezultatet kanë të bëjnë me rrjetin, aleatët dhe hapësirën në vendin e punës për të zbatuar ndryshimin apo për ta menaxhuar atë heshturazi vetëm.


Ku ka përkrahje, ndryshimi individual kontribuon në një ndryshim më të madh, jo automatikisht, por duke ushtruar agjencinë hapur. Ku nuk ekziston përkrahja, njerëzit nuk ndalin ndryshimin, por thjesht nuk mundohen të ndryshojnë diçka rreth tyre. Kjo është kostoja e vërtetë e humbjes së talentit. Jo rrezikimi i largimit, por humbja e ambicies që i ktheu në vendlindje.


Jam kureshtare të di: a e keni parë këtë dinamikë te vetja juaj, në vendin tuaj apo në vendin e punës? Cila është përvoja juaj?


Botuar fillimisht në EPALE, 20 gusht 2026. https://epale.ec.europa.eu/en/node/420767

 
 
 

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page